Rreziku i një Europe të dobët

0

JOSEPH S. NYE

Në vitin 1973, Sekretari amerikan i Shtetit Henri Kisinger, pas një periudhe kur Amerika preokupohej me Vietnamin dhe Kinën, deklaroi një “vit të Europës”. Së fundi, pasi presidenti Barak Obama njoftoi boshtin strategjik amerikan ose ekuilibrin e ri drejt Azisë, shumë europianë u ndjenë të neglizhuar. Tani, me krizën e vazhdueshme të refugjatëve, pushtimin e Ukrainës Lindore nga Rusia dhe aneksimin ilegal të Krimesë, si dhe kërcënimet e Britanisë për t’u tërhequr nga Bashkimi Europian, viti 2016 mund të bëhet sërish “viti i Europës” për diplomacinë amerikane. Përpos sloganeve, Europa vazhdon të ketë burime energjetike dhe përbën një interes jetik për Shtetet e Bashkuara. Pavarësisht nga fakti që ekonomia e SHBA është katër herë më e madhe se sa ajo e Gjermanisë, ekonomia e 28 vendeve anëtare të BE-së është e barabartë me atë të SHBA-së, dhe popullsia e saj prej 510 milionë është në mënyrë të konsiderueshme më e madhe se popullsia e Amerikës, që është 320 milionë.
Të ardhurat e amerikanëve për frymë janë më të mëdha, por në fushat e kapitalit njerëzor, teknologjisë dhe eksporteve, BE është një fuqi ekonomike e barabartë. Deri në krizën e vitit 2010, kur problemet fiskale të Greqisë dhe gjetkë shqetësuan tregjet financiare, disa ekonomistë kishin spekuluar se shumë shpejt euroja mund të zëvendësojë dollarin si njësia monetare parësore të botës.
Në fushën e burimeve ushtarake, Europa shpenzon më pak se gjysmën e shifrës që SHBA i cakton mbrojtjes, por ka më shumë burra dhe gra në radhët e ushtrisë. Britania dhe Franca kanë arsenal bërthamor dhe një kapacitet të kufizuar për të ndërhyrë përtej detit në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme. Të dyja janë partnere aktive në goditjet ajrore kundër Shtetit Islamik. Për sa i përket fuqisë së butë, Europa është e preferuar prej kohësh dhe europianët kanë luajtur një rol kryesor në institucionet ndërkombëtare. Sipas një studimi të kohëve të fundit nga Grupi i Portlandit, Europa llogaritej e 14-ta nga 20 vendet kryesuese. Ideja që Europa po bashkohej rreth institucioneve të përbashkëta e bënte atë më tërheqëse për fqinjët e BE-së, paçka se kjo u venit disi pas krizës financiare.
Pyetja kryesore që ngrihet kur kërkojmë të vlerësojmë burimet energjike të Europës është nëse BE do të arrijë kohezion të mjaftueshëm për t’u shprehur njëzëri në një sërë çështjesh ndërkombëtare apo do të mbetet një grupim i kufizuar, që përcaktohet prej identiteteve kombëtare, kulturave politike dhe politikave të jashtme të ndryshme të anëtarëve të saj.
Përgjigjja ndaj këtyre çështjeje është e ndryshme. Lidhur me tregtinë, për shembull, Europa është e barabartë me SHBA-në dhe e aftë për të balancuar fuqinë amerikane. Roli i Europës në Fondin Monetar Ndërkombëtar vjen i dyti pas atij të SHBA-së (edhe pse kriza financiare ka lënë gjurmë në besimin ndaj euros).
Në çështjen kundër trusteve, përmasat dhe karakteri tërheqës i tregut europian ka bërë që firmat amerikane, të cilat kërkojnë të bashkohen, të marrin miratimin nga Komisioni Europian si dhe Departamenti i Shteteve të Bashkuara për Drejtësinë. Në botën kibernetike, BE po vendos standarde globale për mbrojtjen e privatësisë, të cilat SHBA dhe kompani të tjera shumëkombëshe nuk mund t’i anashkalojnë.
Por uniteti europian ka kufizime të rëndësishme. Identitet kombëtare mbeten më të forta se identiteti i përbashkët europian. Partitë populiste të krahut të djathtë i kanë përfshirë institucionet e BE-së në objektivat e ksenofobisë së tyre.
Integrimi ligjor brenda BE-së është në rritje, por integrimi i politikave të jashtme dhe atyre të mbrojtjes mbetet i kufizuar. Kryeministri britanik David Kameron ka premtuar të reduktojë kompetencat e institucioneve të BE-së dhe t’ia shtrojë rezultatet e negociatave të tij me liderët e Unionit një referendumi popullor nga fundi i vitit 2017. Nëse Britania voton kundër daljes nga BE, kjo do të ketë një ndikim negativ në moralin europian – rezultat ky që SHBA e kanë bërë të qartë që duhet shmangur, edhe pse për ta parandaluar atë mund të bëhet pak.
Në të ardhmen, Europa përballet me probleme të rënda demografike, që vijnë si pasojë e numrit të ulët të lindjeve dhe mospranimit të emigrimit në masë. Në vitin 1900, popullsia e Europës përbënte një të katërtën e botës. Nga mesi i këtij shekulli, ajo mund të përbëjë vetëm 6% të saj dhe pothuajse një e treta e tyre do të jenë mbi 65 vjeç.
Edhe pse vala e tanishme e emigracionit mund të ishte zgjidhje e një problemi afatgjatë demografik të Europës, ajo përbën një kërcënim për unitetin europian, pavarësisht nga udhëheqja e jashtëzakonshme të Kancelares gjermane Angela Merkel. Në shumicën e shteteve europiane, lëkundjet politike kanë qenë të fuqishme, falë ritmit të shpejtë të fluksit të prurjeve (më shumë se një milion njerëz vitin që shkoi) dhe prejardhjes myslimane të shumë nga të ardhurit e rinj. Sërish, edhe këtu interesi diplomatik amerikan është në rrezik, por SHBA nuk mund të bëjë shumë për këtë gjë.
Rreziku që Europa në të ardhmen të mund të bëhet një kërcënim për SHBA-në është i vogël dhe kjo jo vetëm prej shpenzimeve të tyre të pakta ushtarake. Europa ka tregun më të madh të botës, por i mungon uniteti. Industritë e saj kulturore janë mbresëlënëse, edhe pse në fushën e arsimit të lartë, ku 27 prej universiteteve të saj renditen ndër 100 më të mirët, 52 të tjera janë amerikane. Nëse Europa i kapërcen ndryshimet e saj të brendshme dhe përpiqet të sfidojë SHBA-në në rang global, këto vlera mund ta balancojnë pjesërisht fuqinë amerikane, por nuk do ta barazonin dot.
Sidoqoftë, për diplomatët amerikanë, rreziku nuk qëndron te një Europë që bëhet tepër e fortë, por te një Europë që është tepër e dobët. Për sa kohë Europa dhe Amerika mbeten aleate, burimet e tyre fuqizohen reciprokisht.
Pavarësisht nga fërkimet e paevitueshme, që po ngadalësojnë negociatat mbi Partneritetin e propozuar për Tregtinë dhe Investimet Trans-Atlantike (PTIT), ndarja ekonomike është e pamundur dhe Obama do të udhëtojë në prill drejt Europës për të mbështetur PTIT-në. Investimi i drejtpërdrejta në të dyja drejtimet është më i lartë se me Azinë dhe ndihmon në ndërthurjen e këtyre ekonomive. Dhe megjithëse amerikanët dhe europianët i hedhin batuta njëri-tjetrit prej shekujsh, ata ndajnë vlera demokratike dhe të drejtat e njeriut më shumë me njëri-tjetrin se me çdo rajon tjetër të botës. As një Amerikë e fuqishme dhe as një Europë e fuqishme nuk do t’i kërcënonte interesat jetike apo të rëndësishme të njëra-tjetrës. Por një Europë që dobësohet gjatë vitit 2016 mund t’i dëmtonte të dyja palët.

Përktheu: Sara Kelmendi

SHPËRNDAJE