“E përfytyroj Shqipërinë tonë tek po i vëmë drynin te porta, tek po ikim, tek po e lëmë të vetme, vetëm me varrmihësit tanë! Është një përfytyrim i përçartur, jo normal, është si një gulç që të zë për fyti, kur t’i teket, si t’i teket!”

 

A ju kujtohet Bashkimi, “musteqja” profesori ynë i edukimit ushtarak në gjimnaz; flokët e tij shtëllungë kali dhe pak të ngrëna në ballë për shkak të vizës që i linte kapelja; mustaqet e tij drizë, të zeza pis; dhëmbët e ngjyera në bojë të zhardhokut të patates dhe njëri prej tyre, prej floriri? A ju kujtohet se kur na thoshte në dialekt: “Imperializmi amerikan është një tigën prej letre”, një pikëz pështyme nga goja e tij të binte drejt e në fytyrë, nëse do të kishe fatin të rreshtoheshe në vijën e parë të skuadrës? Me të vërtetë nuk ju kujtohet “musteqja”, pathosi, grinta, ngulmimi, parulla tjetër e preferuar prej tij “ Imperializmi është një çështje e shtruar për zgjidhje?

Mua po!

Me figurën e profesorit më lidhin fije më të thella nga ç’mund të mendohet. E kuptova këtë një ditë krejt papritur, teksa po i bëja vetes një pyetje tepër të thjeshtë në dukje, por të koklavitur në përgjigje: Përse nuk i dua Shtetet e Bashkuara te Amerikës!

Se unë nuk i dua Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo ka qenë një nga belatë e jetës time! Të gjithë njerëzit pranë meje mund të dëshmojnë se dua çdo vend dhe vdes nga kurioziteti për të parë Evropë, Afrikë, Azi e ç’të jetë. Por jo SHBA!

A ka ndonjë arsye a shpjegim për këtë? Në fakt nuk ka! Në jetën time kam pas qenë rrethuar nga dashnorë të vërtetë të lirisë amerikane. “Antiamerikani” i vetëm, leksionet e të cilit duhet t’i dëgjoja me detyrim dy herë në javë, nga 45 minuta, ka qenë profesor Bashkimi!

Ç’t’ju tregoj për familjen time të mëparshme?

Ata kanë qenë të gjithë pro amerikanë të lindur! Gjyshja, ashtu siç e mbaj mend unë ka qenë në dashuri të thellë me Kisingerin dhe afronte fytyrën ngjitur me televizorin, sa herë që lajmet italiane flisnin për përtej oqeanit. Çdo ditë, më18 h. fiks, të gjithë të shtëpisë time mblidheshin rreth radios “Tesla” si në një rit, edhe gjyshja që nuk para dëgjonte mirë. Obsesionin e saj ndaj Amerikës e njihnin të gjithë dhe shpesh i punonin rrengje… Tani më kujtohen si në një film: babai që i blinte asaj cigare “partizani”, të cilat ia fuste në një paketë boshe “Dunhill” dhe ia hidhte asaj si pa teklif.. -“Merri, – i thoshte, – janë cigare amerikane”; gjyshja që e priste paketën në ajër, që e thithte mirë e mirë çdo cigare; që e gëlltiste tymin brenda pa mëshirë në mushkërinë e atrofizuar; që psherëtinte pastaj .. “Ah.. këto po që janë cigare mor Shkëlqim”!

Në familjen time të dytë?

Epo më duhet t’ju them se për sa u takon “çështjeve amerikane”, qysh prej fillimit ne kemi qenë të ndarë në dy kampe: Unë me fëmijët nga një kamp, nga kampi i profesor “musteqes” le të themi dhe burri im, “doktori” nga ana tjetër! T’ju tregoj tani sesa shpesh jemi grindur ne me “doktorrin” për Amerikën; sesa i kemi vuajtur udhëtimet e tij të vetmuara nëpër atë botë, lumturimin e tij të dukshëm dhe portretin pro amerikan kur kthehej; mënyrën se si ai përpiqej ta fshihte prej nesh këtë lumturim? T’ju tregoj sesa keq i kemi përjetuar ne ëndërrimet amerikane natën të “doktorrit” gjatë të cilave ai, qull në djersë dhe plot rënkime, pasi shkollohej në shkollat më të mira, pasi garonte në kompeticione të hapura, pasi i fitonte të gjitha pa përjashtim, nga një person i thjeshtë, arrinte të zgjidhej kryetar bashkie të New Yorkut ose senator me dy mandate? Apo t’ju tregoj për kartolinat që na sillte nga larg me shënimin: “Përshëndetje nga jeta ime e parë”! Sepse, që ta dini, qysh nga koha kur jemi njohur, “doktorri” ka pas besuar se ka jetuar në dy jetë, se në jetën e tij të mëparshme ka qenë një amerikan dhe se po të ketë një jetë të tretë, atë do t’ia kushtojë Amerikës!

Çfarë zgjidhje gjeta për këtë fobinë time amerikane, për vrapimin tim kundër rrymës? Asnjë zgjidhje. Gjërat u zgjidhën vetë si pa e kuptuar. Në një pikë të jetës u qetësova, nisa të shtrohem, të arsyetoj, të realizoj se të luftosh fobitë idiote është e domosdoshme dhe e shëndetshme. Atëherë thirra me mendje kujtimin e profesorit dhe parullës së tij të preferuar “imperializmi është një çështje e shtruar për zgjidhje”, për t’i bërë një korrigjim thelbësor: “jeta ime është një çështje e shtruar për zgjidhje”! Po, po! “Jeta ime, {por edhe e jotja} është një çështje e shtruar për zgjidhje”!

Janë së paku dy persona që më ndihmuan në këtë reflektim.

I pari, xhaxhai im i preferuar, Ahmeti, të cilin, babai e thërriste me një dashuri qesëndisëse: “Ahmeti i lavdishëm” ose ..”Ahmet shkenca”! I thoshte ashtu ngaqë askush si ai nuk e deshi lavdinë e Partisë së Punës dhe mbarësinë e Atdheut tonë socialist! Dhe se në çantën e tij të dorës mbante nga një buletin shkencor dhe gazetën “Zëri i Popullit”. Siç i thonë një fjale… komunist deri te xhaxha Ahmeti dhe shko tutje! Devotshmëria e tij tejkalonte disa herë mundësitë e tij, kështu që shpesh, për shkak të kësaj e ka futur fisin në telashe të mëdha. Të jap një shembull? Thirrjes së Partisë së Punës, në mes të viteve ‘70 se cili nga kuadrot e dikastereve do të dilte vullnetar për të ndërruar vendin e tij të punës në kryeqytet me një punë çfarëdo në fshat {e kam fjalën për nismën për qarkullimin e kuadrove}, Ahmeti ngriti dorën me vullnetin e tij të brendshëm dhe tha: “shkoj unë”! Vetëm t’i dëgjoje të qarat e çupave të tij që duhet të linin shkollën e jetën e Tiranës, për ta rinisur në Lushnjë!

Nga ky njeri, 3 vjet më parë më erdhi një zarf, i pari dhe i fundit nga Washingtoni, ku ai qe zhvendosur bashkë me familjen prej 10 vjetësh! Nuk kishte asgjë brenda zarfit veç një fotoje e cila mbante datën 4 korrik 2014! Nga fotoja dukej një turmë e madhe njerëzish me pankarta, kapela, banderola, që me sa duket festonin ditën amerikane të pavarësisë. Mes tyre, një zotni flokëbardhë që tundte përpara aparatit fotografik një flamur të vockël amerikan! E njoha nga pathosi i tij i brendshëm, i pandryshueshëm, i plotë si ai! Ishte xhaxhai im i dashur komunist dhe pro amerikan!

Personi i dytë që më ndihmoi në riorientimin tim erdhi një mëngjes në shtëpinë tonë në mënyrë krejt origjinale dhe rastësore : Zonja M.

Ja sesi ndodhi: “Doktorri” u ngrit për në banjë, duke lënë celularin mbi jastëk. Pa e hapur mirë celularin e tij, {pse, si thoni ju, mos ta kontrolloj fare celularin e “doktorrit”?!}, një “tring”!, një wats up asgjësues. “I dashur mik, të falënderoj pa masë për ndihmën e dhënë, ti me ke ndryshuar jetën. Përqafime M.”! Nuk di ç’do të bënit ju, të dashura zonja, por unë durova, sikur nuk kish ndodhur gjë. Prita me durimin e asaj që do ta zërë tjetrin me presh në duar, plotësisht, me çdo kusht, pa rrugëdalje. Në ditët që pasuan rritej e rritej niveli i falënderimeve, i mirënjohjes… -“Javën tjetër shkëputem përfundimisht dhe zhvendosem në Washington”,- lajmëronte zonja M… “Si të ta shpërblej?”

Si të mos mjaftonte ky rast i mjegullt, një person tjetër, një farë zotnie A. i shkruante të njëjtat fjalë, herë pas here “doktorrit”! Ç’të qe ?!..

-“Ç’është , ç’po bën,- ulërita me sa kam në kokë meqë nuk para i kontrolloj dot hormonet e mia!

Atëherë, me buzëqeshjen prej fitimtari, “doktorri” i dashur më shpjegoi se A. e M., burrë e grua dhe kolegë të mi, ishin zhvendosur në SHBA dhe, me rekomandimet e duhura, ai i kishte ndihmuar të gjenin punë brenda zanatit!

Paskan fluturuar drejt SHBA -ve edhe koleget e mi dhe A dhe M?

A njoh ndonjë njeri që nuk ka të ikur në familjen apo në rrethin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës? A ka ndonjë njeri në këtë vend që nuk është tunduar së paku një herë të vetme, me ide në mos praktikisht, rreth “çështjes amerikane”? Jo, nuk besoj! E vështirë!

Kështu… e vendosa edhe unë; le të më marrë vala, le të më marrë me vete lotaria amerikane! Le të më përfshijë ky ndryshim!

Shpeshherë mendoj se ky është një kurth i mendjes sime {dhe i mijëra njerëzve si unë} dhe se asgjë nuk ka për të ndodhur. Por shpesh më bëhet sikur vrapoj për të kapur trenin e fundit, shansin e fundit që më mbetet…

– “Eh.. ç’ti bësh….ky vend po mbyllet”, -psherëtin “doktorri”.

Për herë të parë i jap të drejtë.

E përfytyroj Shqipërinë tonë tek po i vëmë drynin tek porta, tek po ikim, tek po e lëmë të vetme, vetëm me varrmihësit tanë! Është një përfytyrim i përçartur, jo normal, është si një gulç që të zë për fyti, kur t’i teket, si t’i teket!

Atëherë kuptoj se diçka e rëndë është duke ndodhur: Ose po marrosem unë, ose ka të drejtë “doktorri”.

 

nga Jerina Zaloshnja

SHPËRNDAJE