Nga Benedetta Brevini
Javët e fundit është parë një shtim i panikut global në media lidhur me votën e referendumit italian. Argumenti kryesor, i përhapur me sukses të madh matanë Atlantikut dhe brenda kontinentit ishte se vota Jo ndaj reformës kushtetuese italiane nënkuptonte një fitore për populistët në Europë, duke dëmtuar kështu keq një demokraci tanimë të dobët europiane.
Me pak përjashtime, media ndërkombëtare e ka krahasuar vazhdimisht referendumin kushtetues italian me votën e Brexit apo me zgjedhjen katastrofike të Trumpit.
Ndoshta një nga mënyrat më të mira për ta shpjeguar këtë reagim të ndërkryer nga media ndërkombëtare është huazimi i idesë së “pavërtetësisë”, e përdorur në mënyrë të shkëlqyer nga Stivën Kolberti (Stephen Colbert) në vitin 2005: pasqyrimi nga media ndërkombëtare ka përqafuar hapur pavërtetësinë në vend të së vërtetës.
Termi u shpik për të treguar cilësinë emocionale dhe egoiste të perceptimit të realiteteve, që burojnë më shumë nga preferencat me pasion se sa nga gjërat e sigurta shkencore, logjike apo madje edhe gazetareske.
Pikërisht kjo “pavërtetësi” i ka dhënë formë debatit mbi referendumin italian.
Shumica e njoftimeve që vijnë nga burimet e lajmeve ndërkombëtare kanë zgjedhur katër mesazhet e ndryshme dhe rastësisht, sloganet më të forta që përhapen nga qeveria italiane.
Së pari, ideja që kjo reformë ishte shansi i fundit i Italisë për t’u nisur në udhën e shpëtimit. Së dyti, se kjo reformë kushtetuese ishte e vetmja rrugë për të siguruar një qeverisje më të suksesshme dhe më të qëndrueshme, një zhvillim ekonomik më të qëndrueshëm dhe shtimin e investimeve të huaja. Së treti, se në qoftë se triumfonte vota Jo, Italia do të nisej me shpejtësi në rrugën e saj për të ikur nga BE, duke ndjekur rrugën e udhëtimit shkatërrimtar të Mbretërisë së Bashkuar drejt Brexit. Së katërti, se trazirat politike të krijuara nga një fitore e mundshme e votës Jo do të prishte planet aktuale për rikapitalizmin e bankave më të trazuara të Italisë, duke filluar me Bankën Monte dei Paschi të Sienës.
Le ta nisim me argumentin e parë të pas-të-vërtetës.
Kushtetuta italiane lindi si një kompromis i madh politik pas njëzet viteve nga fashizmi. Një përpjekje e tillë çoi në një kushtetutë shumë moderne dhe të ndryshueshme, që mund të përshtatet me lehtësi ndaj nevojave të proceseve të vendimmarrjes së tanishme kombëtare. Po përse kjo reformë e ngatërruar, jokoherente, kaloi me nxitim nga parlamenti te masat, kur ligjvënësit italianë ishin të vendosur se një ndryshim i madh mund të arrihej vetëm me një konsensus të gjerë në parlament? Për sa i përket argumentit të dytë, shumica e ekspertëve kushtetues në Itali kanë përsëritur se ndryshimet synonin për të rregulluar balancën delikate të pushtetit, që synonte pikërisht për të shmangur vrullin e një pushteti despotik në Itali pas përvojës së fashizmit. Ata vinin në dukje gjithashtu se reforma linte shumë pushtet në duart e ekzekutivit dhe e shtrinte imunitetin parlamentar te anëtarët e rinj të senatit të reformuar, që do të zgjidheshin nga drejtuesit e partisë, në vend që të zgjidheshin me votë popullore. Por përsëri, këto argumente mjaft autoritare, përfshi edhe mungesën e qartësisë lidhur me kompetencat e sakta të senatit u duk se u shpërfillën nga trajtimi prej medieve kryesore.
Argumenti i tretë është ndoshta shembulli më i mirë i “pavërtetësisë”: se një votë Jo do të kërcënonte Bashkimin Europian dhe do të çonte në largimin e italianëve nga BE. Ky pohim është mjaft i gabuar për dy arsye.
Sa për fillim, kushtetuta italiane, me Nenin 75, ndalon çdo referendum për traktatet ndërkombëtare, ndaj dhe mundësia e një largimi ‘a la britanik’ jo vetëm që nuk ka gjasa, por është edhe ligjërisht i pamundur. Por më i rëndësishëm është fakti se nga një sondazh i kryer më parë këtë vit nga Qendra Kërkimore Pew, del se 58% e italianëve janë ende në mbështetje të BE-së, kundrejt 50 % në Gjermani, 44% në MB dhe 27% në Francë. Italianët që mbështesin Bashkimin Europian aktualisht janë shtuar në krahasim me vitin 2015, kur pati një rënie të vogël. Madje edhe sikur Lëvizja euroskeptike e Pesë Yjeve (L5Y) të fitojë zgjedhjet e ardhshme, ne nuk do të shihnim që Italia ta braktiste bllokun europian.
Argumenti i fundit rreth trazirave financiare në rast të një vote Jo ishte shumë i ekzagjeruar nga qeveria italiane për t’i dhënë një shtytje votës Po. Ajo u përdor kryesisht nga agjencitë mediatike të biznesit, pa u mbështetur në realitet. Borxhi i Italisë dhe problemet bankare janë të dokumentuara mirë dhe nuk do të ishin zgjidhur me reformën e propozuar kushtetuese, të tanishme.
Reforma e Renzit është vlerësuar në mënyrë të diskutueshme nga shoqata me shumë influencë e sipërmarrësve italianë (Confindustria), nga aktorët e mëdhenj të tregut financiar, si edhe nga burokratët më të fuqishëm në BE dhe pikërisht këto grupe interesi e kanë mbajtur shtytjen drejt votës Po. Ndoshta prova më e mirë se sa të ekzagjeruara kanë qenë këto pretendime është dhënë nga Shtëpia e Bardhë e cila ka nxituar të garantojë përsëri:
“Italianët janë angazhuar në një debat të gjerë kombëtar rreth reformave që duhet të ndërmarrin për ta futur vendin në një rrugë qeverisjeje më të suksesshme dhe më të qëndrueshme, për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe shtimin investimeve të huaja. Kjo votë ishte vetëm një kapitull i atij debati, por jo fundi i tij. Ai do të vazhdojë në javët dhe muajt e ardhshëm.”
Italianët që dhanë votën Jo për një reformë kushtetuese të paqartë dhe të rrezikshme nuk janë, siç deklaronte Wall Street Journal këtë mëngjes [8 dhjetor], “një fitore e rëndësishme e populistëve në zemër të Europës.”
Në fakt, vota Jo ka mbledhur së bashku organizatat e krahut të majtë, grupet e majta radikale jashtë parlamentare, sindikatat, Lidhjen e Partizanëve Italianë, shoqatat e konsumatorëve nga ana tjetër, me grupet më populiste që i përkasin Lëvizjes së Pesë Yjeve dhe grupet e partive të krahut të djathtë.
Megjithëse nuk është për t’u çuditur që media italiane e mbështeti fuqimisht pikëpamjen e qeverisë për reformën – pas përpjekjeve të Kryeministrit Renzi për ta transformuar këtë votë në një votë politike – është alarmuese që në pasqyrimin e referendumit italian nga media ndërkombëtare nisi të dominonte“pavërtetësia”.
Është e papranueshme që, pavarësisht se shumica dërmuese e konstitucionalistëve të vendit kishin dyshime serioze rreth kësaj reforme, në median ndërkombëtare debati dominues ka zëvendësuar të vërtetën me pavërtetësinë, pasi nuk ka shtruar pyetjet reale që duhet të bëjë gazetaria e duhur, e paanshme dhe e lirë.