Në nëntor të vitit 2016, Komisioni Europian i rekomandoi Këshillit Europian hapjen e negociatave me Shqipërinë. Mirëpo Këshilli nuk e mbështeti këtë rekomandim duke e shtyrë hapjen e negociatave në një kohë të pacaktuar. Përpara ishin zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 dhe reforma në drejtësi. Tani pas një viti, kur zgjedhjet janë zhvilluar dhe reforma në drejtësi është në hapat e parë të zbatimit të saj a do t’i japë Këshilli dritë jeshile hapjes së negociatave? Ndonëse zgjedhjet parlamentare kaluan pa cënuar stabilitetin e vendit, cilësia e tyre ishte larg standardeve ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të drejta dhe mbi të gjitha, mbi rezultatin e tyre rëndon hija e blerjes së rezulateve përmes parave të botës së nëndheshme, në mnëyrë të veçantë të parave të ardhura nga kultivimi në shkallë industriale i drogës. Reforma në drejtësi u miratua me konsesus, në fakt me një konsesus totalitar, me njëqind përqind të votave në parlament, por zbatimi i saj ka filluar në mnëyrë kontraversiale jashtë çdo konsesusi dhe sipas ekspertëve të pavarur dhe opozitës në dhunim të kushtetutës. Shqiptarët në masë vijojnë t’ju drejtohen vendeve europiane duke kërkuar azil politik, në kutota të barabarta ose më të larta se sa të vendeve nga Lindja e mesme të cilat janë përfshirë në konflikte të armatosura.
Megjithëkëtë hapja sa më parë e negociatave do të ishte një lajm i mirë për Shqipërinë, pasi jo vetëm që do të afronte vendin me BE-në, por do të vijonte në një shkallë të re monitorimin e reformave nga BE që kanë të bëjnë me ndërtimin e një shteti demokratik që bazohet tek sundimi i ligjit.
“Europa“ ka ftuar Kreun e Delegacionit të BE në Shqipëri, Znj. Romana Vlahutin, Ambasadoren e Gjermanisë, Znj. Susanne Schütz, Prof. Dr. Eralda Çani Pedagoge e së Drejtës, Ambasadorin e Italisë në Shqipëri Z. Alberto Cutillo, Ambasadoren e Greqisë në Shqipëri Znj. Eleni Sourani, Ambasadorin e Polonisë në Shqipëri Z. Karol Bachura, dhe Kryetarin e Komisionit Parlamentar të Integrimit Z. Genc Pollo. A mendojnë ata se Shqipëria do t’ia dalë mbanë t’i hapë negociatat me Bashkimin Europian në 2018? Cili do të jetë faktori më vendimtar për këtë zhvillim sipas tyre?