IVAN KRASTEV

A po dështon Europa? Ka shumë të dhëna që sugjerojnë një gjë të tillë, që nga grindjet konstante për kontributet në NATO, te marrëveshjet e shumta të paplota për rregullimin e migracionit, e deri te shenjat e rritjes së autoritarizmit në Europën Lindore.

Po, Europa ka dështuar vazhdimisht në 70 vitet e kaluara dhe këto dështime kanë qenë themeli i suksesit të saj. Por gjërat sot janë ndryshe. Zhurma e sotme nuk është thjesht një ftesë për një dështim të saj në kupolë. Është tingulli i Europës që kërcënohet të shpërbëhet tërësisht.

Tri versione të ndryshme të Europës konstituojnë atë Europë të vetme që njohim sot: Europa e pasluftës që kujton tmerret dhe shkatërrimin e Luftës së Dytë Botërore, Europa që dikur jetonte me frikën konstante dhe vendosmërinë për të parandaluar luftën e radhës – atë bërthamore – e cila do të ishte lufta e fundit. Pikat e errëta të Europës së pasluftës u bënë të dukshme në vitet ’90 me rënien e Jugosllavisë në kaos, pavarësisht besimit dominues se një luftë e madhe nuk ishte më e mundshme në kontinent.

Europa e pasluftës sot po dështon sepse për brezat më të rinj, Lufta e Dytë Botërore është histori antike. Francis Fukuyama kishte të drejtë: Ne jemi në fundin e historisë, kur e shkuara nuk ka më rëndësi për të tashmen. Në rastin më të mirë, brezat më të rinj të Europës kanë përthithur pasivisht mësimet e historisë ndërkohë që kanë dështuar në të menduarit në mënyrë historike. Në epokën e internetit shteti po ashtu ka humbur shumë nga monopoli i vet mbi arsimin qytetar; një nga paradokset e revolucionit në teknologjitë e komunikimit është se ndërsa brezi i ri komunikon shumë më intensivisht sesa brezi paraardhës, ky komunikim zhvillohet kryesisht mes kolegëve. Diskutimi konstant në internet nuk ndihmon kur vjen puna te transferimi i përvojës së brezave të mëparshëm.

Dy faktorë të tjerë minojnë fuqinë bashkuese të kujtimeve të LIIB-së në Europën e sotme. Së pari, brezi i të mbijetuarve tashmë thuajse nuk jeton më dhe së dyti, për shumë nga refugjatët dhe migrantët që vendosen në shoqëritë europiane nga jashtë në kontinent, Lufta e Dytë Botërore nuk është lufta e tyre. Kur i referohen “Luftës”, refugjatët sirianë nënkuptojnë shkatërrimin e Halepit dhe jo shkatërrimin e Varshavës apo të Drezdenit.

Europa e pasluftës po dështon edhe sepse shumica e europianëve vazhdojnë ta marrin paqen për të mirëqenë, ndërkohë që bota po kthehet në një vend të rrezikshëm dhe SHBA nuk mund të llogaritet më se i intereson mbrojtja e Europës. Këmbëngulja e Brukselit se ajo çfarë ka rëndësi është fuqia e butë, ndërsa fuqia ushtarake është e tejkaluar, ka nisur të tingëllojë jobindëse edhe tek ata që e deklarojnë një gjë të tillë. Në këtë mënyrë mendimi i Europës së pasluftës është kthyer në pjesë të brishtësisë së saj më tepër sesa një avantazh. Europa e pasluftës sot nuk do të thotë më një Europë si fuqi e paqtë; do të thotë një Europë që është e paaftë të mbrojë veten (rrokja e këtij realiteti të ri do të jetë veçanërisht e dhimbshme në Gjermani).

Por ka edhe një tjetër Europë që po dështon. Europa si një projekt i pas vitit 1968 – Europa e të drejtave të njeriut dhe sidomos Europa e të drejtave të pakicave. Ndikimi i fuqishëm i ngjarjeve të 1968-ës në mendjen europiane është përkufizuar nga konkluzioni i përhapur gjerësisht, pavarësisht viteve të revolucioneve dhe paqëndrueshmërisë, se shteti është diçka që i përkufizon qytetarët, por gjithashtu edhe i kërcënon ata. Arritjet e pabesueshme të protagonistëve të vitit 1968 ishte se ato i bënë europianët të perceptojnë shtetin me sytë e grupeve më të ekspozuara dhe të persekutuara të shoqërive të tyre. Kjo kthesë revolucionare në mënyrën sesi europianët ndiheshin për botën dhe rolin e tyre në të, ishte kryesisht rezultat i procesit të dekolonializimit, por gjithashtu i zgjerimit global të imagjinatës demokratike. Nëse Europa e pas 1968-ës do të përkufizohej nga një fjalë, kjo fjalë është Përfshirja.

Por kjo Europë e pas 1968-ës është po ashtu në pikëpyetje sot. Ndryshimet dramatike sociale dhe demografike që shndërruan shoqëritë europiane në dekadat e fundit kërcënon shumicat – ata që kanë gjithçka, pra ata që kanë frikë për gjithçka, e që përbëjnë forcën kryesore në politikën europiane. Shumicat e kërcënuara tani shprehin frikën e vërtetë se ata po bëhen humbës të globalizimit dhe sidomos humbës të lëvizjes së intensifikuar të njerëzve që e shoqëron të parën. Karakteristika përkufizuese e politikës së shumicave të kërcënuara shfaqet kur ato votojnë; ata e bëjnë këtë duke imagjinuar një të ardhme ku ata do të jenë pakicë në vendin e tyre, ku kultura dhe stili i jetës së tyre do të vihet në rrezik. Do të ishte një gabim i madh politik nëse liberalët thjesht do të injorojnë apo ridikulizojnë këto frikëra. Në politikat demokratike, perceptimet janë i vetmi realitet që ka rëndësi.

Shumë nga lëvizjet politike që po fitojnë popullaritet sot, i referohen shumë të drejtave të shumicave dhe sidomos të drejtave kulturore të tyre. Shumicat këmbëngulin se ato kanë të drejtën të vendosin se kush i përket komunitetit politik dhe të mbrojnë kulturën e tyre mazhoritare. Në këtë kuptim, kriza migratore e vitit 2015 ishte një pikë kthese në mënyrën sesi publiku europian e sheh globalizimin. Ajo shënoi fundin e Europës së pas 1968-ës, ashtu edhe dështimin e një farë ideje për Europën e pas 1989-ës, siç e dëshmojmë sot prishjen e atij që dikur ishte një konsensus përbashkues. Është simptomatike se ndërsa sondazhet tregojnë se anëtarët e brezave më të rinj në Europë janë shumë më tolerantë kur vjen puna te të drejtat e pakicave seksuale, nuk ka ndonjë diferencë domethënëse mes brezave kur vjen puna në perceptimin e emigrantëve joeuropianë si kërcënim.

Kriza e refugjatëve ishte 11 shtatori i Europës. Në mënyrën sesi 9/11 e shtyu Amerikën të ndryshonte optikën përmes të cilës amerikanët shohin botën, po ashtu, kriza e emigrantëve i detyroi europianët të marrin në pyetje disa nga aksiomat kritike të sjelljes së tyre të mëparëshme ndaj globalizmit.

Kriza migratore çoi po ashtu në vënien në pikëpyetje të realitetit të një Europe të bashkuar të pas 1989-ës, jo thjesht sepse Perëndimi dhe Lindja e Europës morën pozicione shumë të ndryshme në raport me detyrimet e tyre në kontekstin e krizës së refugjatëve, por sepse ajo zbuloi ekzistencën e dy Europave shumë të ndryshme kur flitet për diversitetin etnik dhe kulturor, si dhe çështjet e migracionit.

Një nga ironitë e historisë është se, nëse në fillim të shekullit të 20-të, Europa Qendrore dhe Lindore ishte pjesa më diverse e kontinentit, sot ajo është ekstremisht homogjene në planin etnik. Ndërkohë, që Europa e sotme Perëndimore është e shqetësuar nga çështjet sesi të integrojë numrin përherë e në rritje të të huajve që jetojnë në të, shumica nga vende me shoqëri dhe kultura shumë të ndryshme, Europa Qendrore është e shqetësuar me sfidën e frenimit të ikjes së të rinjve në Perëndim. Ndërkohë që Perëndimi lufton për përballjen me diversitetin, Lindja lufton për të përballur shpopullimin.

Për të imagjinuar shkallën e problemit na ndihmojnë disa të dhëna. Në periudhën mes viteve 1989-2017, Letonia humbi 27% të popullsisë së vet, Lituania 23% dhe Bullgaria 21%. Ndërthurja e plakjes së popullsisë, ritmit të ulët të lindjeve dhe një fluksi të pandalshëm të emigrimit jashtë përbën burimin kryesore të panikut demografik në Europën Qendrore dhe Lindore, edhe pse kjo shprehet politikisht përmes histerisë kundër refugjatëve që nuk duken gjëkundi në rajon. Në realitet, më shumë europiano lindorë lanë vendet e tyre drejt Europës Perëndimore si pasojë e krizës financiare të vitit 2008 sesa ishte numri u sirianëve që mbërritën në Europë për shkak të luftës në Siri.

Në fund fare gjithësesi, ajo që është në zemër të rritjes së rrymave joliberale në Europën Qendrore nuk është migrimi i ekzagjeruar, por një refuzim i asaj që unë e quaj Imitim Imperativ.

Për dy dekada pas vitit 1989, filozofia politike e Europës Qendror dhe Lindore postkomuniste mund të përmblidhet në një imperativë të vetme: Imito Perëndimin! Procesi është quajtur me emra të ndryshëm – demokratizim, liberalizim, zgjerim, konvergjencë, integrim, europianizim – por qëllimi i ndjekur nga reformatorët postkomunistë ishte i thjeshtë: ata dëshironin që vendet e tyre të bëheshin si Perëndimi. Kjo përfshinte importimin e institucioneve liberale-demokratike, aplikimin e recetave ekonomiko-politike perëndimore dhe mbështetja publike e vlerave të Perëndimit. Imitimi u kuptua gjerësisht si shtegu më i shkurtër drejt lirisë dhe prosperitetit.

Europa nuk ishte më e ndarë mes komunistëve dhe demokratëve. Ishte e ndarë mes imituesve dhe të imituarave. Por ndjekja e reformave ekonomike dhe politike që imiton një model të huaj ka më shumë dobësi morale dhe psikologjike sesa mund të pritej në fillim. Jeta e imituesit përzien në mënyrë të pashmangshme ndjenja të pamjaftueshmërisë, inferioritetit, varësisë, identitetit të humbur dhe hipokrizisë së pavullnetshme. Imituesit nuk janë asnjëherë të lumtur. Ata nuk e posedojnë asnjëherë suksesin e tyre, por vetëm dështimet.

Europa e parë, Europa e pasluftës, po dështon sepse kujtimi i luftës po venitet dhe sepse ai ka kontribuuar në krijimin e një Europe të paaftë të mbrojë veten e vet. Europa e dytë, ajo e pas vitit 1968, po dështon sepse ishte Europa e minoriteteve; po përpiqet ende të gjejë një mënyrë për të adresuar kërkesat e shumicave për mbrojtjen e të drejtave të tyre kulturore gjithashtu, pa e kthyer demokracinë në instrumente të përjashtimit. Europa e pas 1989-ës po dështon sepse Europa Qendrore nuk do më që të ndjekë modelin e Perëndimit, apo ta imitojë atë dhe të gjykohet nga ky i fundit, por më tepër dëshiron të ndërtojë një kundërmodel.

A do të thotë ky dështim i Europës se ajo po shkon në mënyrë të pakthyeshme drejt shpërbërjes? Fatalizmi do të ishte gabim. Kjo do të thotë se Europa duhet të investojë në kapacitetet e veta ushtarake dhe të ndalojë së kërkuari falas garanci nga Amerika për sigurinë e vet. Kjo do të thotë se ashtu si demokracitë liberale europiane në vitet ’70 dhe ’80 ia dolën me sukses të de-radikalizonin të majtën ekstreme dhe integronin disa nga kërkesat e saj legjitime në politikën kryesore, po ashtu duhet të veprojnë me të djathtën ekstreme. Njerëzit që sot janë të trembur nga disa ide radikale që vijnë nga e djathta radikale duhet të kenë parasysh se shumë centristë të viteve ’70 e konsideronin të majtë antiestablishment si Joshka Fisher – që më vonë u bë ministër i Jashtëm i Gjermanisë – si një kërcënim për kapitalizmin, perëndimin demokratik. Dhe kur vjen puna në raportet Perëndim-Lindje në Europë, sfida është gjetja e një rruge për të kritikuar me forcë kthesën autoritare në Lindje pa këmbëngulur në idenë se imitimi i Perëndimit është i vetmi kuptim i demokracisë apo të imagjinohet naivisht se një angazhim ndaj demokracisë mund të blihet me fondet e Brukselit.

70 vjet më parë, Europa ia doli mrekullisht të kthente shkatërrimin e LIIB-së në themelin e projektit të saj të paqes. Ia doli të kthente zemërimin antiestablishment të 1968-ës në progress politik. Ia doli me sukses në më pak se dy dekada të bashkonte një Europë të ndarë nga 50 vjet Luftë e Ftohtë. Nëse Europa ia ka dalë të kthejë kaq shumë dështime në sukses, mund të shpresohet me siguri që do të arrijë të njëjtën mrekulli sot.

SHPËRNDAJE