Ky supozohet të jetë një informacion konfidencial, me dyer te mbyllura, i Shërbimit Informativ për Komisionin e Sigurisë Kombëtare të Kuvendit. Megjithatë, raporti i dhënë nga Drejtori Bendo rrodhi i gjithi me shumë lehtësi në mediat afër qeverisë dhe u ekspozua në gjithë botën online. Rusët po vijnë! Me sa duket, përpjekjet e Rusisë për të ndikuar mbi Shqipërinë, të paktën në sferën politike, janë intensifikuar dhe tani konsiderohen si një rrezik real.

Ky mesazh duket vështirë të jetë në kohën e duhur dhe është në një linjë me përpjekjet e tanishme të shumicës, të përcaktuara qartë, për të pikasur një armik të jashtëm, të urryer nga populli dhe për të skicuar një komplot mbi lidhjen midis këtij armiku, që është kundër të ardhmes europiane të Shqipërisë dhe opozitës aktuale. Situata e tanishme e opozitës shqiptare, që ka qenë e kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare lidhur me çështjen e dorëzimit të mandateve, ka ndihmuar që kjo narrativë të zërë vend. Megjithatë, këto përpjekje janë më të hershme, qoftë të lidhura me këmbënguljen e Kryeministrit për t’i përdorur ndikimet e jashtme si karrem, me qëllim që të tërheqë më shumë vëmendjen e fuqive perëndimore, si edhe një nga pretekstet kryesore të shumicës për të akuzuar udhëheqjen e Partisë Demokratike se qenka paguar nga rusët dhe po punon me lobistët rusë.

Kohët e fundit ka pasur akuza që edhe blogerët e huaj, që punojnë në Shqipëri, po punojnë për median e sponsorizuar nga shteti rus për të ndihmuar kauzën e opozitës.

Para së gjithash, është mjaft shqetësuese që një institucion si Shërbimi Informativ të luajë lojën e shumicës. Ky institucion, që ka një përgjegjësi shumë delikate dhe duhet të tregojë seriozitetin dhe profesionalizmin, integritetin dhe fshehtësinë më të madhe, rrezikon krejt legjitimitetin dhe ndikimin e tij duke u keqpërdorur në këtë mënyrë. E njëjta gjë duhet thënë, por është akoma edhe më keq, që Kuvendi të keqpërdoret për të dhënë shfaqje të tilla qesharake. Në qoftë se deputetët nxjerrin sekretin e Shërbimit Informativ, ata duhet të bëhen përgjegjës për këtë rrjedhje informacioni. Pastaj, kur media përdoret zakonisht për maskarada të tilla, ky, fatkeqësisht, nuk është lajm.

Për të gjithë është e qartë se Partia Demokratike, ashtu si të gjitha partitë e tjera politike, ka shumë mëkate për të larë. Megjithatë, qëndrimi antiperëndimor nuk ka lidhje fare më të. Kjo parti ka qenë vazhdimisht dhe në mënyrë konsekuente në favor të një qasjeje të hapur, që kërkon integrimin e mëtejshëm, që gjatë qeverisjes së saj arriti anëtarësimin në NATO dhe liberalizmin e vizave. Nëse i hedhim një vështrim të kaluarës, ishte Partia Socialiste, e cila, të paktën në fillimet e saj, kishte mjaft rezerva ndaj NATO-s dhe BE-së. Atyre iu duhej ta kapërcenin atë mendësi. Mbi të gjitha, PD-ja nuk kishte ndonjë gjë të tillë për të kapërcyer.

Shpikja e këtij armiku dhe vënia e emrit të tij “Rusia”, për Shqipërinë është si një ushtrim me një lloj humori të kotë, të zi. Megjithëse çështje të hapura të ndikimit ka në Serbi, Maqedoni dhe Malin e Zi, ato bazohen në mbështetjen e vërtetë, masive, që lidhen me shumë faktorë, që përfshijnë edhe fenë dhe prejardhjen e tyre etnike. Shqipëria është një rast unik, në të cilën ekzistojnë të gjitha kushtet për të mos pasur ndonjë mënyrë për të ndikuar në mbështetjen popullore dhe politike të Rusisë, si në periudhën afatshkurtër edhe në atë afatmesme.

E vemja gjë që po troket në portën e Shqipërisë është modeli rus, që po zbatohet kudo, i cili ka një ndërthurje të pushtetit autoritarist me një grup të vogël oligarkësh të korruptuar, që nuk kundërshtohet vërtet nga media dhe që akomodohet çuditërisht në arenën ndërkombëtare në emër të stabilitetit.

SHPËRNDAJE