Shpresat e qytetarëve shqiptarë nga reforma në drejtësi, edhe tani pas disa vjetësh nga zbatimi i saj, janë të mëdha. Këto shpresa lidhen me sistemin e ri të drejtësisë, që po krijohet me ngadalë, me institucione të reja, të rëndësishme, si SPAK – Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion- , objektivi i së cilës është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Prandaj ka një rëndësi të madhe që platforma e SPAK-ut të përmbajë çështje të korrupsionit në nivelet e larta, që ndikojnë mbi jetën e qytetarëve, por ndikojnë edhe mbi perceptimet e tyre për drejtësinë dhe besimin ndaj saj, një komponent i rëndësishëm ky për suksesin e qëndrueshëm të reformës. Për këtë qëllim, platforma e SPAK-ut duhet të ndërtohet në mënyrë krejtësisht të pavarur dhe të lidhet me shqetësimet e vërteta, të cilat burojnë nga problemet reale, që hasen në praktikë.

Ndaj edhe deklarimet e kryeministrit shqiptar në prezantimin e raportit vjetor të GRECO-s, Këshilli i Europës, një dokument që vlerëson përpjekjet kundër korrupsionit, ishin si një shpullë në fytyrën e drejtësisë së re. Kryeministri Rama pretendoi përsëri se politikanët vinë pas trupës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët qëndrojnë në majë të korrupsionit në Shqipëri dhe ai pret që drejtësia e re të merret në fillim me ta.

Trashëgimia e periudhës komuniste, kur partia ishte ajo që vendoste se kush duhej hetuar dhe dënuar, duhet kapërcyer njëherë e përgjithmonë. Kreu i qeverisë duhet të jetë i pari që duhet të respektojë pavarësinë e strukturave të reja dhe t’i lërë ato t’i caktojnë vetë përparësitë e tyre. Dhe në rast se ato kanë nevojë për disa ide, gjithçka që iu duhet është të vështrojnë përreth.

Tani ka plot raporte të mira investiguese dhe forma të tjera denoncimesh, me prova të dokumentuara dhe akuza të arsyeshme. Publiku shqiptar, që nga ndërkombëtarët, të cilët raportojnë për pastrimin e shumave të mëdha të parave, që pastrohen në sektorët e ndërtimit në Shqipëri e deri te koncesionet skandaloze të trajtimit të mbetjeve dhe shënimit të karburantit, është ngopur me lajme dhe analiza mbi skemat e mëdha të korrupsionit. Shumica e tyre kanë një ndikim të drejtpërdrejtë negativ në jetën e përditshme, që nga cilësia dhe përdorimi i shërbimeve e deri te siguria e komuniteteve.

Para së gjithash, SPAK duhet të kujdeset për këto gjëra. Hetimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, që janë rrëzuar nga procesi i vetingut, është një zhvillim i mirë, meqenëse ai nxit llogaridhënien dhe luftën kundër nocionit të imunitetit. Por gjithsesi, këta njerëz tani janë jashtë sistemit, të poshtëruar në sytë e opinionit publik dhe të privuar nga ushtrimi i profesionit të tyre. Duke përdorur një shprehje popullore vulgare, ata mund të konsiderohen si “kuaj të ngordhur.” Ka plot organe të tjera, që mund të merren me ta.

SPAK mund të marrë shtysë edhe nga shtetet fqinje, si Kosova, ku gjatë muajve të fundit janë arrestuar ministra dhe kryetarë komunash, figura kryesore në radhët e partive politike, për shkak të shpërdorimit të fondeve publike dhe korrupsionit me tenderët. Apo në Maqedoninë e Veriut, ku ish-kryeministri dhe ministra janë ose të kërkuar për të vuajtur dënimin me burg, ose po e vuajnë dënimin e tyre në burg.

Së fundi, komuniteti ndërkombëtar duhet ta mbrojë investimin e tij madhor në reformën e drejtësisë dhe t’iu përgjigjet deklarimeve të tilla dhe jo vetëm të duartrokasë në heshtje. Nëse ka një objektiv të vërtetë për ta çliruar këtë shtyllë të shtetit nga presioni politik, atëherë nuk duhet toleruar asnjë deklaratë politike, që tregon se çfarë duhet të bëjë apo mos bëjë drejtësia e re. Ndryshe kthehemi te pika zero.

 

SHPËRNDAJE